Historiku i Kon-katedrales “Shen Luçia”

Katedralja e Shën Luçisë mendohet të jetë ndërtuar në 1868, vit i cili përkon edhe me vitin e shënuar në portën hyrëse të saj. Ajo ka qënë kisha në të cilën kanë shërbyer emra të rëndësishëm, jo vetëm të historisë së katoliçizmit në Durrës, por personalitete në historinë kombëtare si Dom Nikollë Kaçorri dhe Imzot Vinçenc Prendushi.

Ajo u mbyll në vitin 1967, si shumë objekte fetare të tjera në Shqipëri.
Kon-katedralja “Shën Luçia”, në qytetin e Durrësit, e ndërtuar thuajse 150 vjet më parë, do të restaurohet.
Burime nga famullia e kishës, bënë të ditur për ATSH-në se” me godinën e kon-katedrales do të rindërtohen dhe godinat pranë saj, të cilat kanë qenë pjesë e kompleksit ipeshkvnor të Durrësit. Ndërhyrjet që u bënë në kishë pas vitit 1967, kur u kthye në kinoteatër, ndryshuan fatin e saj si dhe te godinave të ndërtuara në funksion të saj.

Komuniteti katolik synon ta kthejë territorin, me sipërfaqe rreth 1200 metra katrorë, në një hapësirë në shërbim të besimtarëve të të gjitha moshave. “Kemi filluar me muret rrethuese, një pjesë e të cilave janë prishur plotësisht. Kisha dhe besimtarët e saj nuk duhet të kenë ndasi, qofshin ato edhe prej muresh. Ballina e Kon-katedrales do të mund të shihet nga të gjithë besimtarë dhe kalimtarë të zakonshëm”, thanë burimet.

Dy rrugicat që të çojnë në mjediset e kishës, janë emërtuar kohët e fundit “Dom Nikollë Kaçorri” dhe “Pal Engjëlli”, i pari zëvëndëskryeministër i Qeverisë së Vlorës, në vitin 1912 dhe i dyti, kryesekretar, kryediplomat dhe arqipeshkv në periudhën e Skënderbeut. “Jemi thuajse në qendër të Durrësit dhe për këtë arsye, një pjesë e kompleksit të rindërtuar do të shërbejë për veprimtari shumëplanëshe, me karakter fetar, por edhe kulturor dhe sportiv-shtuan burimet.

Kon-katedralja “Shën Luçia” është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, në një nga lagjet qendrore të Durrësit, shumë pranë bashkisë. Zona përreth saj është ruajtur pjesërisht dhe kisha e rindërtuar pritet të kthejë gjallërinë e dikurshme në këtë lagje me ndërtime të ulta dhe kopshtije të vogla. Katedralja “Shën Luçia” rifilloi të funksionojë në vitin 1991, ndërsa gjatë këtyre viteve, u ngrit edhe Katedralja domenikane katolike në zonën e ish-kënetës. Në Durrës ushtrojnë veprimtarinë e tyre të besimit fetar musliman Xhamia e Madhe dhe xhamia “Fatih”, si dhe dy kishat e besimit ortodoks në nderim të Shën Gjergjit, si dhe Shën Pavlit e Shën Astit.

Leave a comment